Afera CEZ-DIA, deputeti Agron Çela del nga SPAK: Nuk e njoh Kastriot Ismailajn

Spread the love

Deputeti Agron Çela ka dalë nga SPAK, ku ka qëndruar për rreth 1 orë e 30 minuta ndërsa ku është pyetur për aferën CEZ-DIA.

I pyetur nga gazetarët se përse ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme, Çela ka thënë se ishte për punët e tij teksa ka mohuar kategorikisht se nëse njeh Kastriot Ismailajn.

Jeni pyetur për CEZ-DIA?

“Isha për punët e mia. Jo nuk e njoh kush është. Për Ilir Metën s’më ka pyetur askush asgjë. Ilir Metën e njeh gjithë bota kam marrëdhënie shumë të mira. Kastriot Ismailaj se njoh kush është ky”, tha Çela.

Raportohet se deputeti socialist është paraqitur edhe ditën e djeshme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, por nuk u mor në pyetje.

Çela është thirrur një javë pasi Prokuroria e Posaçme mori në pyetje për këtë aferë Ilir Metën. Ky i fundit i cilësoi hetimet si një telenovelë dhe hodhi akuza se çështja po përdoret politikisht nga Edi Rama me kallëzues të rremë, referuar këtu juristit Romeo Kara.

“Telenovelën CEZ-DIA. Është telenovelë që është gjykuar 2 herë dhe është rihapur në dhjetor të 2019-ës nga një kallëzues i rremë i cili është dënuar 2 herë nga gjykata për shpifje dhe një herë nga gjykata për dhunë në familje. Romeo Kara punonjës i OSHEE, përdoret nga regjimi per shpifje. Në procesin e parë nuk ka përmendur emrin tim, më pas për arsyet e tij më ka përmendur”, u shpreh Meta. 

Agron Çela kaloi nga radhët e Partisë së Lirisë në grupin e PS në dhjetor të vitit 2022, bashkë me kreun e degës së PL në Shkodër, Edmond Ndou.

Afera CEZ-DIA

Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA, gjatë qeverisjes së Sali Berishës, ndërsa në vitin 2013, kur socialistët morën pushtetin, u bë ndërprerja e kontratës abuzive. Prishja e kësaj marrëveshje që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit.

Për këtë aferë u dënua vetëm Ismailaj, i cili ka kryer dënimin, për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”, ku me falsifikim të dokumenteve arriti të përvetësojë nga kompania CEZ, rreth 5 milionë euro për një shërbim të cilin s’e kishte kryer. Kjo dosje e nxehtë për dyshen Berisha-Meta është rikthyer në SPAK. Afera CEZ-DIA për mbledhjen e rreme të borxheve me faturat e papaguara nga abonentët, nisi të zbatohej pas finalizimit të mega aferës së shitjes së OSSH tek CEZ nga qeveria Berisha. Nuel Kalaj ishte sekseri mes CEZ dhe qeverisë Berisha për privatizimin e 75 % të aksioneve të OSSH nga çekët. Negociatat rezultuan të përfshirë edhe djalin e ish kryeministrit, Shkëlzen Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *