Vrasje dhe grup kriminal, Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestron e pasurive të Pëllumb Gjokës

Spread the love

Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi sekuestron e pronave të biznesmenit Pëllumb Gjoka, i arrestuar pjesë e një grupi kriminal pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin Sky ECC.

Biznesmenit Pëllumb Gjoka, i shpallur edhe investitor strategjik, i janë sekuestruar 390 mijë metra tokë në plazhin e Velipojës me kërkese të SPAK, por Apeli i GJKKO rrëzoi ankimin e tij.

Sipas SPAK, dyshohet se këto sipërfaqe toke janë përfituar me anë të falsifikimit.

Pasuritë e vendosura në sekuestro preventive janë:
1-Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 113.500 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tregëtae.

2-Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 61.470 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tjetër tregëtare.

3-Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 215.030 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të shtetasit K. Gj.

Nga hetimet e kryera ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se pasuritë e lartpërmendura, janë në pronësi të personave dhe shoqërive të mësipërme janë fituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të kryer nga shtetasi P. Gj., në bashkëpunim me persona të tjerë”, thuhej në njoftimin e SPAK.

Kush është Pëllumb Gjoka?

Pëllumb Gjoka, 49 vjeç, është një biznesmen i shpallur nga qeveria e kryeministrit Edi Rama “investitor strategjik” me një projekt që planifikonte investimin e 52 milionë eurove në një  zonë të virgjër në plazhin e Velipojës në Shkodër, në shkëmbim të së cilit, shteti shqiptar angazhonte burimet e taksapaguesve për të siguruar furnizim me ujë, drita, kanalizime e shërbime të tjera publike.

Por një dosje hetimore e ardhur nga Franca në drejtësinë shqiptare, bëri që Gjoka, pronar hotelesh në Shkodër e në Tiranë, të arrestohej si figurë kyçe e një grupi të krimit të organizuar, përgjegjës për vrasje dhe porositje atentatesh si dhe për korrupsion aktiv të zyrtarëve publikë.

Gjoka ka urdhëruar vrasje

Gjoka dyshohet se ka qenë duke urdhëruar vrasje. Mbi të aktualisht rëndon akuza “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Sipas njoftimit të policisë, kjo akuzë lidhet me vrasjen në 9 gusht 2020 të shtetasit Gj. N. (B.). Ai akuzohet gjithashtu edhe për dy raste të veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” si dhe për korrupsion aktiv të prokurorit.

Anëtarët e grupit akuzohen për 12 vepra penale, mes të cilave vrasje, heqje e paligjshme e lirisë, trafikim narkotikës, pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të struktuar kriminal. Ndërsa zyrtarët e arrestuar akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre dhe ekspertime të rreme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *