SPAK rrëzon kërkesën e Berishës: Nuk lejohet të shkosh në Kuvend

Spread the love

SPAK ka refuzuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha për të marrë pjesë në seancat plenare.

Më anë të një njoftimi, bëhet me dije se prokurorët e posaçëm kanë vendosur të mos pranojmë kërkesën e depozituar nga avokatët e Berishës, i cili aktualisht mbahet në arrest shtëpie nën akuzën e korrupsionit pasiv për privatizimin e kompleksit ‘Partizani’.

“Personi nën hetim Sali Berisha(i përfaqësuar nga mbrojtësit e tij Sokol Mëngjesi dhe Genci Gjokutaj) ka depozituar në datën 15.01.2024 një kërkesë me anën e së cilës kërkonte lejimin e tij për të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit, në cilësinë e deputetit. Pasi janë njohur me përmbajtjen e kësaj kërkese, me vendimin e datës 18.01.2024 Prokurorët kanë vendosur mospranimin e saj”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Kujtojmë se avokatët e Berishës iu drejtuan me një kërkesë prokurorëve të SPAK më 15 janar duke theksuar se kjo është një e drejtë kushtetutese.

Një tjetër argument që shoqëron këtë kërkesë është fakti se ndaj Sali Berishës nuk ka një vendim të formës së prerë.

“Në kushtet kur Sali Berisha është deputet i Kuvendit, i zgjedhur nga sovrani, është e domosdoshme që të ushtrojë funksionet e tij si Deputet i Kuvendit. Për këtë arsye duke qënë se ju jeni organ procedues, kërkojmë nga ana juaj miratimin dhe dhënien e lejes që z. Berisha në mënyrën dhe kohën që është aboslutisht e domosdoshme të shkojë, të marrë pjesë dhe të ushtrojë funksionet e tij në seancat plenare të Kuvendit në përmbushje të të drejtave lirive politike të parashikuara nga Kushtetuta e vendit, por edhe të përmbushë detyrimet e veta kundrejt elektoratit që e ka zgjedhur”, thuhej në kërkesën e avokatëve.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më 30 Dhjetor 2023 vendosi të zëvendësojë masën e sigurimit nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie nën mbikëqyrje policore ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, person nën hetim për çështjen e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Irena Gjoka, kryetare e kësaj gjykate, për të cilën avokatët e zotit Berisha kishin kërkuar përjashtimin nga trupa gjykuese, duke pretenduar një konflikt interesi.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kërkoi një autorizim Kuvendit për të forcuar masën e sigurisë ndaj zotit Berisha, për shkak se ai për disa javë rresht refuzoi të përmbushte masën e parë detyrim paraqitje, duke e quajtur si antikushtetuese.

Gjykata e Posaçme urdhëroi deputetin Berisha të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të në të njëjtën banesë, ndërsa për zbatimin e kësaj mase ngarkoi SPAK-un dhe shërbimet e policisë gjyqësore.

Sipas procedurave, mbikëqyrja policore parashikon shërbime të rregullta pranë banesës së zotit Berisha për të ndjekur respektimin e kësaj mase nga ana e tij.

Avokatët e zotit Berisha thanë se ky vendim do të apelohet më tej brenda afatit ligjor, por kufizimet e komunikimit për një deputet janë, sipas tyre, të paligjshme, sepse duheshin bërë me një autorizim nga Kuvendi.

Ish kryeministri nën hetim Sali Berisha dyshohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim në lidhje me çështjen e procedurave të privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani, gjatë të cilave SPAK-u dyshon se ai me akte nga më të ndryshmet ka ushtruar ndikim dhe presion, duke favorizuar dhëndrrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e atij trualli, që u mbush shpejt me një grup pallatesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *