Ermal Mamaqi, “lavatriçja” e milionave të Ilir Beqjes, kur do zbarkojë SPAK në pasuritë e komikut të pushteteve

Spread the love

BKH ka zbuluar se Ermal Mamaqi ka lëshuar 132 fatura fiktive për subjekte të tjera; e gjersa është përfshirë në krimin e pastrimit të parave, SPAK do ti duhet të hetojë pasuritë, duke filluar nga jeta luksoze, burimi i blerjes së vilës 700 milionë lekë te “Rolling Hills” në Sauk e deri te kompleksi hoteleri “Relux” me 7 kate, 100% në pronësi të tij në “Dajt”…

Më 8 prill 2019, “Pamfleti” publikoi shkrimin me titull: “Pikëpyetje mbi jetën luksoze të Ermal Mamaqit…”, me të cilin i bëri apel drejtësisë të hetonte burimet financiare të tij, të bashkëshortes Amarda Toska.

Sepse të dy, pa asnjë pasuri e pa asnjë biznes, befas në muajin tetor 2016 e më pas, blenë vilë luksoze 700 milionë lekë te kompleksi rezidencial “Rolling Hills” në Sauk dhe 2 apartamente e 1 vilë para saj.

Më 14 tetor 2016, Ermal Mamaqi bleu objekt 215 m2 në qendër të Tiranës për të ushtruar biznesin e qendrës estetike “Venere By Ami Sh.p.k”; ndërsa më 20 tetor 2016, bleu objekt 145 m2 për firmën “Adfinitas” me aktivitet ndërmjetësim martesash, reklama, aktivitete kulturore etj.

Më 4 tetor 2021, ka blerë objekt për restorantin “ME’ NAM”, ndërsa më 27 janar 2023 inauguroi  kompleksin hoteleri “Relux” me 7 kate te zona e komunës “Dajt”, që është 100% në pronësi të tij.

Në këto biznese të Ermal Mamaqit, bënë përshtypje, fakti që ai nuk ka as Ekstrat të dhënash në Qendrën Kombëtare të Biznesit e as bilance vjetore në tatime; ndërkohë që prej vitesh ushtron aktivitete, shton pasuritë e vazhdon e bën jetë luksi.

Fillimisht, është përfolur se Ermal Mamaqi maskonte pasuritë dhe pastronte milionat e pista, të miqve të hershëm të bashkëshortes Amarda Toska; ndërsa më pas, u tha se të dy ishin maska e pasurive të një oligarku.

Por në fund të muajit dhjetor 2023, SPAK zbuloi se Ermal Mamaqi, ka shërbyer si lavatriçe e milionave të ish-ministrit Ilir Beqja, duke i lëshuar futura tatimore false nëpërmjet restorantit “ME’ NAM”, për restorantin “Gzona” dhe banketet zyrtare që bënte Drejtoria e Shtetërore e Donacioneve të Huaja me drejtor Ilir Beqjen.

Në hetimet e SPAK, është vërtetuar që Ermal Mamaqi ka lëshuar disa fatura tatimore me vlerë 3.2 milionë lekë, për shërbime restoranti e shit-blerje që nuk janë kryer nga restoranti “Gzona”, të cilin Ilir Beqja e ka maskuar pas vartësit të tij zyrtar Ermal Kurtulaj.

Për këtë aferë pastrimi parash, mashtrimi fiskal e tatimor dhe fshehje të ardhurash, Ilir Beqja është marrë i pandehur; i janë sekuestruar telefonat, kompjuterët e dokumentet që i janë gjetur në banesë dhe siç thuhet, së shpejti do përfundojë në pranga.

Por SPAK, ka detyrim ligjor t’i bëjë “Xing” me procedim penal e prangosje dhe Ermal Mamaqit, si pastrues i milionave të Ilir Beqjes me fatura fiktive, madje edhe për vjedhje të shtetit me fatura tatimore false në vlerë miliona lekë.

Sepse sipas informacioneve të siguruara nga “Pamfleti”, rezulton se agjentët e BKH, kanë zbuluar që Ermal Mamaqi, në emër të katër firmave të tij “Venere By Ami Sh.p.k”, “Adfinitas Sh.p.k”, të restorantit “ME’NAM Sh.p.k” e hotelit “Relux”, ka lëshuar edhe 132 fatura fiktive për subjekte të tjera, mes tyre institucione shtetërore.

Gjersa, Ermal Mamaqi është përfshirë në krimin e pastrimit të parave, SPAK duhet t’i hetojë dhe pasuritë që ka, duke filluar nga jeta luksoze, burimi financiar i blerjes së vilës 700 milionë lekë te kompleksi rezidencial “Rolling Hills” në Sauk e deri te kompleksi “Relux” me 7 kate 100% në pronësi të tij, në “Dajt”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *