Tragjeditë kriminale të Gërdecit & 21 Janarit, dhe heshtja e gazetarisë përballë dhimbjes së viktimave

Spread the love

“Jepjani fjalën dhimbjes dhe shoqëria mund të shpëtojë nga sëmundjet e saj…, pasi aty ku dhimbja, përfituesve të saj u jep te qeshura përçmuese, tek viktimat jep shumë lot!’’

Shekspiri tek Rikardi II-të

Në një shoqëri të dobësuar nga korrupsioni dhe nga autokracia politike, e cila noton në oqeanin e mjerimit njerëzor, me qëndrimin memec të medias, bëhet pothuajse e pamundur ngritja e opinionit publik në mbrojtje të viktimave.

E gjithë tërësia e institucioneve që shoqëria jonë ka ngritur, më e pakta që mund të themi, janë të mpira përballë inkuizitorit politik.

Le të marrim si shembull Avokatin  e Popullit.

Shoqëria jonë paguan Avokatin e Popullit, që përgjatë dy dekadave të ekzistencës së tij, asnjëherë nuk është pozicionuar në krah të viktimave në gjykata të çfarëdo lloj niveli kombëtar apo ndërkombëtar, edhe kur rastet bëhen fenomene të dukshme në ndërgjegjen tonë shoqërore.

Larg detyrës së tij, me një mospërfillje cinike, i pa vendosur para përgjegjësisë që media duhet ta vendoste, me rolin e tij të munguar, Avokati i Popullit krijon një boshllëk, të cilin e shohim të mbushet nga juristë të guximshëm dhe me ndërgjegje të lartë qytetare si Karaj, Shabani etj.

Për raste që janë shumë të qarta nga opinioni publik, si Tragjedia e Gërdecit apo Vrasjet e 21 Janarit, dihet më së miri nga kush janë kryer dhe përse.

Në këtë kontekst mund të neglizhojmë shpjegime të detajuara, pasi lexuesi duke ditur më së miri kush janë përgjegjësit e këtyre krimeve, e ndjekin rrjedhën e ngjarjeve pa vështirësi.

Nga njëra anë kemi përdorimin e dhunës, intimidimit, vrasjeve, shantazheve dhe nga ana tjetër dhimbjen e viktimave.

Ajo që çudit është Media.

Si është e mundur t’u jepet e drejta e fjalës pafundësisht atyre individëve politikë apo me lidhje të privilegjuara me politikën, të cilët kanë ushtruar dhunë në sy dhe dijeni të gjithë shoqërisë, siç janë rastet e tragjedisë së Gërdecit dhe  21 Janarit, por aspak viktimave të tyre?!

Si është e mundur që nuk ka një hapësirë mediatike për viktimat, sëpaku e barabartë me hapësirën që media ju akordon inkuizitorëve të tyre?!

Si është e mundur që asnjë gazetar nuk ka marrë në pyetje Avokatin e Popullit për ta vendosur përpara përgjegjësisë publike në lidhje me ngjarjet e sipërpërmendura?!

Si ka mundësi që i jepet kaq shumë hapësirë mediatike Fatmir Mediut dhe qëndrimeve të tij antiligjore, të pamoralshme, të karakterizuara nga një neglizhencë dhe papërgjegjshmëri kriminale, e të lihen në harresë viktimat aq të shumta të tragjedisë së Gërdecit?!

Si ka mundësi, qe ish kryeministri Berisha, duke menduar se banalizimi i krimit e zvogëlon atë, dilte në studio televizive, dhe në marrëzinë e tij kriminale, me një artikulim të dobët të gjuhës tonë amtare, deklaronte se përsëri dhe më shumë do të vriste, deklarata që në shekullin ku jetojmë nuk i ndeshim më as tek diktatorët e vendeve të prapambetura dhe gazetarët nuk reagonin, minimalisht duke u larguar në shenjë proteste?!

Si ka mundësi, që sot shohim pafundësisht në media ata pak pasues të ‘’Non Gratës’’ Berisha, duke folur për

‘’demokracinë dhe të drejtat themelore të njeriut’’, e aspak për historitë e viktimave të shkaktuara nga këto monstra politike?!

Media konsiderohet si pushteti i katërt dhe duhet të luajë një rol shumë të rëndësishëm në formimin e opinionit publik dhe në influencën e ushtruar në marrjen e vendimeve me interes të lartë shoqëror.

Asnjëherë si sot, roli i saj nuk ka mbartur një mision kaq vendimtar në kauzën  e ndërgjegjësimit shoqëror për të ardhmen e vendit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *