Ekstradohet sot nga Kosova baroni i drogës, Gëzim Çela

Spread the love

Do ekstradohet ditën e sotme nga Kosova baroni i drogës, Gëzim Çela…

Ish-oficeri i Forcave Speciale, Gëzim Çela, i njohur ndryshe si ‘Baroni’ i drogës do të ekstradohet sot nga Kosova për të vuajtur dënimin në Shqipëri.

Bëhet me dije se efektivët e Policisë së Shtetit po e presin Çelën në pikën e kalimit kufitar të Morinit në Kukës, ku do të bëhet dorëzimi nga pala kosovare.

“Ekstradimi i tij do të bëhet bazuar në një vendimmarje të 11 janarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj të Kosovës, për lejimin e ekstradimit të thjeshtuar të këtij shtetasi, për shkak se ai ka dhënë pëlqimin për t`u ekstraduar drejt Shqipërisë.

Kërkesa për ekstradimin e Çelës bazohet në një vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të tetorit të vitit të kaluar, për caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë.

“Baroni i drogës” u vu në pranga në muajin dhjetor të vitit të shkuar në Kosovë, ku narkotrafikanti kishte gjetur strehim, ndërkohë që në Shqipëri u shpall në kërkim në gusht të këtij viti pasi nuk mundi të vihej dot në pranga gjatë operacionit “Flakë në det”.

Policia zbuloi se Gëzim Çela dhe grupi i tij i ndihmuar nga shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, trafikonte kanabis nga zona e Fushë Kuqes drejt detit Adriatik ku në një Velierë e shkëmbente kanabisin me Kokainë.

Emri i Gëzim Çelës është ndër të parët e përmendur si trafikant droge në Shqipëri pasi këtë aktivitet e ka nisur që në vitet 90. Dikur ish punonjës policie, ai u shndërrua në kontaktin kryesor të shpërndarjes së heroinës në vend si dhe autor i kalimit të dhjetëra kilogramëve kokainë në Kosovë.

Kush është Gëzim Çela?

Gëzim Çela është baba i 4 fëmijëve dhe me letra rezulton i divorcuar. Argument që është përdorur në gjykatë nga avokati i tij, për t’i lehtësuar akuzuat, lidhur me objektet që u sekuestruan në apartamentin e bashkëshortes së tij në “Don Bosko”, në Tiranë.

Ai është banor i fshatit Fushë-Kuqe, të Kurbinit, ku janë kryer herë pas here kontrolle nga Policia. Djali i xhaxhait të tij, Nerim Çela u arrestua gjatë operacionit “Flakë në det”, kur trafikantët i vunë flakën velierës që dyshohej se do të trafikonte drogë. Gëzim Çela ka lidhje familjare edhe me “mbretin e lojërave të fatit”, Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur prej më shumë se një viti. Konkretisht, kushëriri i Çelës, Nerim Çela, është daja i Brilant Martinajt, i cili mbeti i vrarë në atentatin e frikshëm që u mori jetën edhe dy miqtë të tij, vitin e kaluar, në mbikalimin e Fushë-Krujës.

Po ashtu emri i tij del edhe në dosjen “Metamorfoza”. Në mesazhet që shkëmbejnë personazhet e kësaj dosje, Dorian Duli, që ishte një nga personat e shenjestruar për t’u vrarë nga grupi Bajri, por edhe Lulzim Kulla, dhëndrri i familjes Lici, komentohet si lidhje e fortë e Gëzim Çeles. 

Gëzim Çela dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge. Pikërisht aty, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë kohë më parë. Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.

Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë. Po në të njëjtën kohë, në kryeqytetin e Kosovës u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë.

Kurse, gjatë kontrollit në vilën e Çelës në Fushë Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa.

Forcat policore sekuestruan po ashtu 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara. Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Kur policia ka rrethuar shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte aty.

Kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim Çelës në Fushë Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës. Për të, ekziston një dënim nga gjykata italiane me 11 vjet burgim, si dhe 150 mijë euro gjobë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gëzim Çela, përpara se të implikohej në trafikant droge e të ishte kryetari i një bande të trafikut të kokainës, ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë. Këtë post e ka mbajtur përpara vitit 1997.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *