Çfarë fsheh ministrja e Drejtësisë së Kosovës duke e penguar emërimin e Drejtoreshës së Institutit të Mjekësisë Ligjore

Spread the love

Pse Albulena Haxhiu është bërë pengesë ndaj rastit Goga- Bajrami, çfarë e tremb ministren?

Në krye të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës (IML) po qëndron një drejtor i paligjshëm. Ditor Halitit, ushtrues detyre në këtë institut i ka skaduar mandati tre muaj më parë, ndërsa ai vazhdon ende të udhëheq pa ndonjë vendim të ri që i lejon ushtrimin e detyrës.

Haliti është emëruar më 8 dhjetor të vitit 2022, me afat njëvjeçar në këtë post nga Ministria e Drejtësisë (MD), kurse mandati i ka skaduar më  8 dhjetor 2023.

Ndërsa, drejtore në këtë institut me konkursin e rregullt të shpallur nga MD-ja është zgjedhur Flutura Goga, së cilës kjo ministri ende nuk po i jep mandatin që i takon me ligj, nga ana tjetër vendimi për t’u emëruar ajo drejtore sipas konkursit të rregullt po ashtu është në fuqi.

Zëri i Gogës- Bajrami për të drejtën e saj nuk po dëgjohet nga MD-ja. Përkundrazi ministrja Albulena Haxhiu është bërë pengesë ndaj Goga- Bajrami të mos e emërojë në detyrë duke zvarritur zbatimin e vendimeve ligjore.

Goga-Bajrami i është drejtuar të gjitha instancave kompetente në vend që të vendoset e drejta e saj për të ushtruar detyrën që e ka fituar pas një konkursi të rregullt dhe për çka është njoftuar nga MD-ja më 6 dhjetor 2022 se do të fillojë punën me 7 dhjetor të po këtij viti në faqen zyrtare të kësaj ministrie publikohet dhe vendimi se Goga- Bajrami emërohet drejtore e IML-së.  Kjo ministri ligjërisht nuk mund ta anuloj konkursin, por po zvarrit t’i jap detyrën Goga-Bajrami duke e dëmtuar në aspektin material dhe të avancimit në karrierë.

Goga- Bajrami i është drejtuar ministres Albulena Haxhiu nga e cila ka kërkuar që të nxjerrët akt emërimi mbi zgjedhjen e saj drejtore e përgjithshme e IML-së.

“Në rast të mos marrjes së një vendimi nga ana juaj, unë jam e detyruar që të drejtën time për këtë çështje ta kërkoj në të gjitha format tjera të përcaktuara me ligjet në fuqi. Gjithashtu për moszbatimin e këtij vendimi unë do të detyrohem t’i njoftoj të gjitha institucionet relevante vendore e ndërkombëtare që veprojnë në Republikën e Kosovës për moszbatimin e vendimeve nga ekzekutivi, gjegjësisht MD-ja”, thuhet në letrën dërguar Haxhiut, siguruar nga Pamfleti.

Goga po ashtu thekson se po dëmtohet në aspektin e dëmit material dhe të ngritjes në karrierë. Pas përgjigjeve të pabaza nga MD-ja, konkretisht nga sekretarja e përgjithshme e MD-së dhe nga heshtja e Ministres së Drejtësisë, ajo i drejtohet Divizionit për Burime Njerëzore të IML-së, nga ku i sugjerohet që ankesën ta dërgojë  në Inspektoratin e Punës (IP). Flutura Goga-Bajrami e parashtron ankesën në Inspektoratin e Punës, me pretendimin për mos zbatim të vendimit nga ana e punëdhënësit, Ministria e Drejtësisë, e cila është përzgjedhur në konkursin  e jashtëm, të shpallur nga MD-ja për pozitën drejtor i përgjithshëm në Institutin e Mjekësisë Ligjore nga MD-ja. 

Por, Inspektorati i Punës në përgjigjen e tyre ndaj ankesës së znj. Goga kanë thënë  se nuk kanë përgjegjësi ligjore për të trajtuar këtë çështje, duke sugjeruar Gogën që si palë ankuese t’i drejtohet Gjykatës Themelore Kompetente në  Prishtinë. “Inspektorati i punës nuk ka kompetencë për trajtimin e marrëdhënieve juridike, të cilat rregullohen me ligje tjera. Udhëzohet pala ankuese që pretendimet e njëjta t’i dërgoj te organi kompetent, te Gjykata Themelore Kompetente”, thuhet në shkresën e IP-së më 6 shkurt 2024 që e posedon Pamfleti. Goga -Bajrami i është drejtuar edhe Avokatit të Popullit për të zgjidhur çështjen e saj.

Pamfleti i është drejtuar dhe Ministrisë së Drejtësisë lidhur me këtë rast dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje. Po ashtu, gazeta ka kontaktuar dhe u.d. e IML-së Ditor Haliti se në bazë të çfarë vendimi po vazhdon punën, dhe nga ai ka marrë vetëm këtë përgjigje të shkurt “për të gjitha këto pyetje duhet të drejtoheni te kabineti i ministres së drejtësisë”.

Ndërsa, Flutura Goga-Bajrami ka thënë për Pamfletin se do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të arritur të drejtën e saj, e cila po i mohohet nga MD-ja me arsyetime të pabaza. Ajo thotë se dëmi që i është shkaktuar nga MD-ja është shumë i madh , dhe jo vetëm material sipas saj por edhe në karrierë. Goga-Bajrami tha se ka hasur vazhdimisht në injorim të kërkesave të saj drejtuar MD-së. “Po pres një përgjigje nga avokati i popullit dhe të nis me procedura tjera që ligji mi garanton të mbroj të drejtën time”.

Si erdhi deri te ky skandal ligjor dhe pse mosdorëzimi i detyrës së drejtores së IML-së Gogës-Bajrami? A lidhet me rastin Dehari? Çfarë ka zbuluar Pamfleti në këtë drejtim? Do të lexoni nesër në pjesën e dytë të artikullit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *