Sulmet ndaj SPAK, BE godet Metën dhe Ramën: Lini drejtësinë të bëjë punën e vet

Spread the love

Gonzato theksoi sërish qëndrimin ‘pro’ sistemit të drejtësisë dhe institucioneve të saj

Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato ka reaguar për sulmet e kreut të PL Ilir Meta ndaj Prokurorisë së Posaçme.

Gonzato bëri thirrje që SPAK të lihet të bëjë punën e vet.

Teksa u pyet nga gazetarët për sulmet ndaj SPAK-ut, Gonzato iu ka ‘tërhequr veshin’ Ramës dhe Metës teksa tha se BE nuk ka mbajtur asnjëherë një standard të dyfishtë lidhur me qëndrimin e saj sa i takon mbështetjes së drejtësisë së re.

Pyetje: BE ka dënuar sulmet ndaj drejtësisë ndaj kreut të SPAK. Ndërkohë Rama ka sulmuar. Pse reagoni për sulmet nga Meta dhe jo nga Rama?

“Nuk ka standard të dyfishta. Mbështetja për sistemin e drejtësisë është e palëkundur, por mesazhi është i njëjtë dhe i përhershëm. Ne i japim përparësi të madhe reformës në drejtësi dhe duhet ta lëmë të bëjë punën e vet”, tha Gonzato në konferencë për median.

Ai tha po ashtu se “sinjalet për Shqipërinë janë pozitive” për rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Mundësitë janë aty për të gjitha vendet, hapat apo ritmi varet nga serioziteti i secilit prej vendeve. Sinjalet për Shqipërinë janë pozitive. Elementët dhe parakushtet ekzistojnë tashmë dhe duhet të kalojmë te faza tjetër shumë shpejt. Do ta vlerësoja shumë nëse gazetarët do flisnin edhe për vlerat e BE. Është e rëndësishme që të gjithë të kontribuojmë sëbashku për një shoqëri të drejtë dhe gjithëpërfshirëse”, u shpreh Gonzato.

Kujtojmë se Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion është “shënjestruar” së fundmi nga kreu i PL Ilir Meta, i cili ka ngritur akuza ndaj kreut të SPAK Altin Dumani. Për këto të fundit pati një reagim zyrtar nga BE dhe Ambasada amerikane në vend të cilët dënuan sulmin. 

Ambasada e SHBA në Tiranë ka shprehur edhe një herë mbështetjen e saj për profesionistët ligjorë që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.

“Ne mirëpresim dënimin nga KLP të sulmeve direkte dhe indirekte ndaj SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ata luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron pranë profesionistëve të drejtësisë që i binden ligjit dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”, thuhet në një deklaratë të ambasadës amerikane.

Më pas, Meta ka vijuar sërish sulmin ndaj Dumanit, duke e cilësuar atë si “kushëririn e Nuredin Dumanit”, vrasësin me pagesë që pranoi të bashkëpunonte me sistemin e drejtësisë duke denoncuar vrasjet. Meta tha se kushëriri i Altin Dumanit, Nuredini, ka vrarë, ndërsa kreu i SPAK po vret pluralizmin.

“Nuredini me të vërtetë ka kryer vrasjet që ka pranuar vetë, por ky karafil na kujton se ai mund të bëhet një vrasës i suksesshëm i pluralizmit në vend. Të cilën ai kërkon ta arrijë përmes. McGonigals ose përmes kapjes së çdo laraskie apo goditjeje nga Partia e Lirisë Ilir Meta ka parë shumë si ky kushëri i Nuredinit.

Çfarë prisni që kushëriri i Nuredinit është takuar me McGonigal, çfarë prisni? Kushëriri i Nuredinit, i cili shkoi disa herë në Fier te Kastriot Ismaili, i dënuar në atë kohë, duke i lutur të dëshmonte kundër Ilir Metës, thotë se ai mbrojti GJK-në që të dilte nga burgu dhe se nisi procedimin ndaj Ilir Metës. në bazë të një delikuenti të dënuar nga gjykata për dhunë në familje”, tha Meta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *