SPAK kërkon sekuestrimin e pronave të Ervin Matës dhe Erzen Breçanit, nis mbledhja e provave për grupin kriminal

Spread the love

Hetimi pasuror i nisur nga SPAK ndaj grupit kriminal ku u arrestua ish-drejtuesi i policisë Erzen Breçani dhe u përfshi djalit i tij Eralbi Breçani, i cili ndodhet në kërkim së bashku me kunatin e tij Ervin Mata dhe personave të tjerë të përfshirë në trafik droge, grup kriminal e krijim kushtesh për vrasje, po vijon me mbledhjen e të dhënave për bizneset dhe pronat e luajtshme dhe të paluajtshme.

Përveç emrave të 11 personave të përfshirë në hetim, 4 nga të cilët janë arrestuar dhe 7 që janë në kërkim, SPAK tha se po verifikon pasurinë e familjarëve të tyre dhe të këngëtares Elvana Gjata e cila përmendet në dosje për përdorimin e llogarisë së saj bankare nga Ervin Mata.

Ky i fundit ka kryer biseda në Sky ECC për trafikim droge në disa episode ndërkohë që nuk rezulton të ketë në emër të tij ndonjë biznes. SPAK po verifikon emrat e familjarëve ndërkohë Erzen Breçani rezulton i lidhur me dy kompani. Subjekti HEC DRITA ENERGY, me administrator Eralbi Breçani, i përgjuar direkt në biseda për trafik kokaine dhe transaksione financiare, është themeluar në 23 shtator 2019 me objekt aktiviteti ndërtimi, shfrytëzimi dhe administrimi i Hidrocentralit “DRITA”, deri tek shitja e energjisë.

Punimet në Lumin e Gashit, Bashkia Tropojë, janë bërë me leje ndërtimi të dhënë nga KKT, në datë 12.07.2019. Veprimet e fundit të HEC, janë kryer më 23 korrik 2023 dhe që prej datës 15 mars 2022 subjekti është i pezulluar. Subjekti ka dalë me humbje që nga viti 2019, deri në vitin 2022 duke raportuar aktivitet negativ. Ligjërisht mbetet e paqartë me çfarë janë përballuar humbjet e HEC-it ndërkohë që në faqet 84 dhe 85 të dosjes së SPAK, Erzen Breçani është përgjuar teksa bisedon me djalin e tij për shuma që i nevojiteshin nga 300 deri në 500 mijë euro për përballimin e shpenzimeve, madje, në një bisedë, tregon se kishte edhe probleme me pagat e punëtorëve.

Në faqen 87 SPAK citon Erzen Breçanin i cili i thotë djalit se i duhen 300 mijë euro për turbinat dhe e pyet nëse do të vonohen paratë në mënyrë që ti thotë administratorit Fatbardh Breçani të marrë kredi. Kompania që ka në pronësi HEC-in që po ndërtonte Erzen Breçani është shoqëria e sigurisë Breçani R.O.S.P, e themeluar më 6 prill 2005. Kjo e fundit ka si objekt të aktivitetit shërbimin e ruajtjes dhe i sigurisë fizike të personave dhe objekteve dhe transportimin e vlerave monetare e sendeve të çmuara. Administrator i saj është Fatbardh Breçani, vëllai i Erzen Breçanit, i cili rezulton i punësuar aty, sipas verifikimeve që SPAK ka kryer në sistemin e Tatimeve.

Nga viti 2012 deri në vitin 2019, ky subjekt ka bilanc pozitiv ndërkohë që për vitin e kaluar në bilanc ka një fitim prej 36 milionë lekë. Disa nga të ardhurat e kompanisë në periudhën 2019-2023, janë krijuar edhe përmes pagesave nga buxheti i shtetit, siç është shërbimi për kamera sigurie në Fakultetin e Shkencave Pyjore, 98 mijë lekë në shtator 2023, ruajtje objekti tek Klubi Tirana në vitin 2021, për pagesën 99 mijë lekë, dhe zhvendosje kasaforte për Shkollën e Magjistraturës, në mars 2020, kundrejt pagesës 120 mijë lekë.

Më herët në vitet 2012-2013, kompania Breçani R.O.S.P ka përfituar 17 pagesa nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për shërbimin roje private objekti. Kjo shoqëri rezulton pjesëmarrëse në tendera dhe procedura të tjera publike për ruajtje dhe shërbime sigurie në disa institucione të tjera shtetërore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *