“Serbia, rrezik për rajonin!”, Kurti për arrestimin e Nikolla Sandulloviç: Vuçiç ndjek metodat e Putinit. Kërkim-falja për genocidin në Kosovë…

Spread the love

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se Serbia duke e “vazhduar rrugëtimin drejt metodave” të presidentit rus, Vladimir Putin, nuk përbën rrezik vetëm për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit, por edhe vetë qytetarët e saj, pas arrestimit të dy qytetarëve kosovarë së fundmi nga autoritetet serbe.

Duke folur në mbledhjen e parë të Qeverisë së tij këtë vit, Kurti e akuzoi Serbinë për arrestimin, siç e cilësoi, të padrejtë, të qëllimshëm dhe dashakeq të qytetarëve kosovarë dhe torturimin e qytetarëve të vet.

“Serbia nuk përbën rrezik vetëm për qytetarët tanë, sigurinë tonë, stabilitetin rajonal në Ballkan, ajo së fundmi ka dëshmuar se paraqet rrezik edhe ndaj qytetarëve të saj të cilët janë të gatshëm të kërkojnë falje për gjenocidin serb në Kosovë… Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit, nga frikësimi deri te torturimi çnjerëzor i kundërshtarëve politikë”, tha Kurti para ministrave të vet në mbledhjen e së mërkurës.

Kurti iu referua kryetarit të Partisë Republikane në Serbi, Nikolla Sandulloviç, i cili u paraburgos javën e kaluar në Nish.

Kryeprokurorja Borica Mitiç tha më 5 janar për Radion Evropa e Lirë se paraburgimi i është caktuar atij për shkak të “dyshimit se ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.

Kurti tha se shteti serb “përveç që e rrahu, i ngriti aktakuzë për nxitje urrejtje pasi u përkul në varrin e 7-vjeçares Blerina Jashari, e cila u vra nga forcat serbe”.

Në një video të postuar në rrjetin social më 2 janar, Sandulloviç shihet gjatë një vizite në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz duke vendosur kurorë me lule në monumentin që përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 Marsit 1998, kur forcat serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, një nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *