Rrëmuja në Kuvend, Çollaku sulmon grupin e Bradhit: Opozita ka humbur të vetmen armë që ka në dorë

Spread the love

Seanca e sotme plenare në Kuvend u mbyll mes tensioneve dhe zhurmës, ku deputetët e Berishës qëndruan para Foltores me pankarta në duar, ndërsa mazhoranca votonte projektligjet.

Pas seancës plenare, nënkryetari i PD, Kreshnik Çollaku i bëri thirrje grupit të Bardhit që të ulen në diskutime për Reformën Zgjedhore.

Çollaku tha se kolegët e tjerë të opozitës janë të mirëpritur që të ulen në diskutime dhe të dalin me një draft të përbashkët në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Ai u shpreh se format e zgjedhura nga opozita për bllokimin e jetës normale të Kuvendit po kthehen në bumerang, ndërsa shtoi se do tentohet dialogu brenda llojit për të vijuar me aksionet e radhës.

“Edhe kjo e sotmja është një seancë anormale që ne mendojmë se dëmton opozitarizmin. Siç ju e patë mazhoranca kaloi më 5-6 minuta 4-5 ligje shumë të rëndësishme, mes të cilave atë të diasporës.

Kjo situatë po kthehet në problem. Kemi mbështetur kërkesën e pjesës tjetër të opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore, por mesa duket kjo rrugë nuk po rezulton e suksesshme. Këtu e humbura e madhe është opozita.

Të kuptojmë se duke bllokuar në këtë mënyrë Parlamentin, e vetmja gjë që bëjmë është që bllokojmë veten. Mazhoranca nuk ka asnjë problem dhe në papërgjegjshmëri të plotë kalon ligje të rëndësishme. I kalon pa u merakosur. Kjo është një rrugë që po shkon në krijimin e një alibie rehatie për mazhorancën, të cilën nuk e meriton.

Në rast se kryetarja e Kuvendit do të pranonte listën e Bardhit me kërkesën e Rithemelimit, praktikisht do të përjashtonte nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, PD, partinë më të madhe në opozitë. Jemi të hapur që me kolegët e opozitës të shikojmë se çfarë do të dalë nga kjo reform zgjedhore.

Ne nga pozicioni i listave të hapura nuk lëvizim. Lista të hapura, vota e emigrantëve dhe votim elektronik. S’ka interes mazhoranca që të ndryshojë këtë kod zgjedhor. I vetmi mekanizëm që mund të bashkojë opozitën është arsyeja dhe logjika. Kjo do të thotë që nuk mund të bëhet për kohën që na ka mbetur, sepse koha nuk na lejon”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *