Kushtetuesja i hap derën emigrantëve nga Afrika, voton pro marrëveshjes Rama- Meloni

Spread the love

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i ka hapur dyert emigrantëve nga Afrika në vendin tonë.

Marrëveshja që u nënshkrua pa transparencë, pa konsultim me Bashkimin Europian dhe që pretendohet se është në shkelje të ligjit, është votuar ditën e sotme nga Gjykata Kushtetuese 5-4 në favor për pranimin e emigrantëve nga Afrika në Shqipëri për një periudhë të caktuar kohe.

Mësohet se shumica e anëtarëve të Gjykatës e cilësojnë paktin Rama-Meloni në përputhje me kushtetutën.

Pak javë më parë, grupi i deputetëve të Gazment Bardhit dhe Rithemelimit, por edhe Partia Demokratike depozituan dy padi në Gjykatën Kushtetuese ku kërkonin shfuqizimin e saj pasi sipas tyre binte ndesh me ligjin themeltar të shtetit shqiptar.

Në 13 dhjetor, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Berisha-Bardhi lidhur me marrëveshjen Itali-Shqipëri, e cila konsiderohej nga ata anti-kushtetuese.

Marrja në shqyrtim e kërkesës nga Gjykata Kushtetuese, solli automatikisht pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, gjë që ishte planifikuar të bëhen në seancën plenare të 14 dhjetorit.
Kryeministri, Edi Rama nuk preferoi të jepte komente, duke thënë se një gjë e tillë është në të drejtën e Gjykatës Kushtetuese.

Drafti për marrëveshjen për emigrantët, u miratua në Qeverinë italiane në 5 dhjetor dhe u dërgua në parlamentin italian për miratim.

Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve.

Marrëveshja për një qendër procesimi emigrantësh në Gjadër u firmos në Romë nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni dhe më pas u fut me procedurë të përshpejtuar në shqyrtimin parlamentar.

Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.

Sipas tekstit të marrëveshjes, pala shqiptare është angazhuar që të vendosë në dispozicion të qeverisë italiane territorin e vet për të ngritur kampe të ngjashme me burgjet si dhe të presë mijëra emigrantë nga vendet e treta për të paktën një periudhë 5-vjeçare. Marrëveshja është kritikuar nga organizatat ndërkombëtare dhe vendase për të drejtat e njeriut.

Amnesty International e cilësoi atë  të paligjshme dhe e pazbatueshme, ndërsa një grup prej 29 organizatash të tjera, të fokusuara ndër të tjera te të drejtat e njeriut, iu drejtuan qeverisë shqiptare në një letër të hapur duke kërkuar tërheqjen nga kjo marrëveshje, pasi sjell shkelje të këtyre të drejtave dhe ‘burgosje të padrejtë’.

Marrëveshja që u nënshkrua pa transparencë, pa konsultim me Bashkimin Europian dhe pretendohet të jetë marrë në shkelje të ligjit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *