Ish-deputeti i LSI, njëherësh ish-këshilltar i Ilir Metës, gjatë kohës që ky i fundit ushtronte detyrën e Kryetarit të Kuvendit, Ralf Gjoni, është paraqitur mëngjesin e së hënës në SPAK. Gjoni ka hyrë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme rreth orës 10:00 të mëngjesit të sotëm.
Ende nuk dihet arsyeja pse ish-këshilltari i Metës është thirrur në SPAK, ndërsa ka mbërritur i vetëm në godinën e organit të hetimit.
Ralf Gjoni është një nga dy deputetët që nuk pranuan të digjnin mandatin në shkurt 2019.
Ralf Gjoni në zgjedhjet e 2009 u bë zëdhënësi i fushatës së LSI-së që në atë kohë drejtohej nga Ilir Meta.
Ai që nga viti 2012 ka qenë anëtar i strukturave drejtuese të LSI-ë, ndërkohë ka mbajtur dhe postin e Sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë në këtë forcë politike.
Gjithashtu, Ralf Gjoni ka qenë këshilltari i Ilir Metës, kur ky i fundit ka mbajtur postin e Ministrit të Jashtëm, kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.