Shkresa e parë e Blendi Gonxhes: rishikimi i kontratës për pronat e Aleksandër Frangajt në Kinostudio

Spread the love

Ky proces tregon se Frangaj nuk mund të gëzojë më favoret e qeverive, të cilat i ka pasur me pash gjithë këto vite.

Akti i parë në detyrë i ministrit të Ekonomisë dhe Kulturës, Blendi Gonxhe, ka qenë ‘bombë’.

Me anë të një shkrese zyrtare, i ka kërkuar ‘alba film’-it që të verifikohet situata e kontrave shtetërore me pronat që janë ndarë nga qeveria e Sali Berishës në territorin e ish-Kinostudios Shqipëria e Re.

Në atë zonë, ndodhen disa prej televizioneve private në vend, ku më i rëndësishmi është TV Klan, i cili është në pronësi të Aleksandër Frangajt.

Por gjithashtu, atje ndodhen edhe Ora News, ABC News, Tv Skan, apo edhe Akademia e filmit ‘Marubi’.

Siç mësohet, Gonxhe ka nisur një proces zyrtar të verifikimit të situatës, pasi prej kohësh në atë pronë ka një problem si pasojë e një pretendimi të pronarëve të truallit. Të cilët prej vitesh kanë zhvilluar beteja ligjore, por qeveria e atëhershme e Sali Berishës nuk i lejoi që tu njihet prona e tyre.

Bëhet fjalë për pretendimet e familjes Hysa, e cila zotëron dokumentet e trashëgimisë së truallit ku është ndërtuar tv Klan i Aleksandër Frangajt. Rast, i cili vjen në një precedent aktual, duke marrë për bazë privatizimin e trojeve të ish-klubit Partizani, ku pjesën më të madhe e ka marrë dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi.

Afera me ish- kompleksin “Partizani” është shumë e vogël, përballë aferës me 165 mijë m2 troje e objekte të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, ish-prona të familjes “Hysa”, të cilat ish-kryeministri Sali Berisha, nuk ua dha siç bëri me fisin “Begeja”, ku është pjesë dhëndri i tij.

Bashkë me ish-ministrin Ridvan Bode, qeveria e Berishës ia dhuroi Aleksandër Frangajt, për të vendosur biznesin e “TV-Klan”, paçka se pronarët legjitim “Hysa”, fituan të drejtën e marrjes së kësaj pasurie me vendim të Gjykatës së Lartë, por nuk e morën dot, megjithëse i dërguan 73 ankesa e kërkesa ish-kryeministrit Sali Berisha.

Afera e dytë, që Sali Berisha e Ridvan Bode kanë bërë në favor të Aleksandër Frangajt gjatë pushtetit 2005-2013, janë 12 milionë Euro nga buxheti i shtetit,  dhuruar “TV Klan” për reklama televizive në favor të qeverisë.

Për grabitjen e ish-Kinostudios dhe për 12 milionë Euro reklama që i dhuruan Aleksandër Frangajt, qeveria e PS bëri kallëzim penal në muajin nëntor 2013 pas ardhjes në pushtet, duke akuzuar kryeministrin Sali Berisha e ministrin Ridvan Bode.

Madje, para ardhjes në pushtet, Babloku u thoshte gazetarëve të TV-Klan: “Bëji të fala Sandrit”; ndërsa pas ardhjes në pushet e kallëzimit penal, deklaroi në parlament, se milionat që ka grabitur tellalli mediatik i Sali Berishës, do t’i ri-kthehen shtetit.

Por prej 10 vitesh, Sandër Frangaj është bërë tellall i Ramës dhe ka marrë leje e troje shtetërore për kulla, hotele, resorte e ferma në Tiranë, Durrës, Kavajë, Lalëz, Vlorë, Himarë e Sarandë, ndërsa Ridvan Bode u emërua nga PS në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shtetit.

Dalja në media e kësaj çështje, por edhe ankesa e familjes Hysa në organet e drejtësisë, e sipas gjasave edhe në SPAK, hap dritën jeshile të një hetimi nga ana e prokurorisë speciale për këtë çështje.

Nëse ndodh kjo, përveç Sali Berishës që ndodhet nën hetim, mund të penalizohet edhe qeveria e Edi Ramës.

E duket për t’i dalë para kësaj çështjeje, Blendi Gonxhe ka kërkuar dokumentacionin, e sipas gjasave do të rishikohen kushtet e kontratës. Kështu që, nuk mundet të mos lihet pa adresuar vendimi i Gjykatës së Lartë, që i ka dhënë të drejtë familjes Hysa. Që do të thotë, se mund të zbatohet vendimi, duke ja kthyer pronën të zotit, me të cilin Aleksandër Frangaj do të duhet të negociojë në kushte të reja për qiranë e truallit ku ka ndërtuar TV-Klan dhe jo vetëm. Ky mund të jetë proces jo i shpejtë, por gjasat janë që Frangaj nuk mund të gëzojë më favoret e qeverive, të cilat i ka pasur me pash gjithë këto vite. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *