Përplasja Kosovë-Serbi, Scholz: Po punojmë shumë për të zgjidhur situatën e vështirë

Spread the love

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se janë duke punuar shumë që ta zgjidhin situatën që ai e ka cilësuar si “vërtet të vështirë” mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur në një konferencë shtypi me kryeministrin grek të martën, Scholz ka thënë se në të gjitha mosmarrëveshjet midis vendeve të rajonit [Ballkanit], Berlini është në anën e procesit të anëtarësimit në BE.

“Po punojmë shumë për ta zgjidhur situatën vërtet të vështirë mes Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi gjithmonë në anën e procesit të anëtarësimit”, ka thënë Scholz, transmeton DW.

Scholz bashkë me liderët e tjerë evropianë u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin serb Aleksandar Vuçiq më 26 tetor në Bruksel në përpjekje për të bindur liderët e Kosovës dhe Serbisë për zbatim të marrëveshjeve. 

Aty u paraqit draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin e pranoi Kurti, por kërkoi nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, të cilën refuzoi ta bënte Vuçiçi.

Ndërkohë, Scholz u shpreh kundër bllokadës që ka bërë Greqia ndaj Shqipërisë në procesin e zgjerimit. Më 11 nëntor Greqia vendosi të mos i bashkohet shteteve të tjera anëtare të BE-së për të plotësuar kërkesën e Komisionit Evropian drejtuar Këshillit Evropian për hapjen e negociatave për tre grup-kapitujt e parë.

Shkak për këtë është mbajtja ende në burg e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri. 52-vjeçari u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023 dhe akuzohet për shit-blerje votash. Autoritetet greke e konsideruan arrestimin dhe burgosjen e Fredi Belerit një “cenim të shtetit të së drejtës, shkelje të të drejtave civile, mosrespektim të të drejtave politike.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *