Padia e familjarëve, Gjykata e Strasburgut del me vendim për “Gërdecin”

Spread the love

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka dalë me vendim për padinë e familjarëve të Gërdecit.

Teksa kjo çështje ndodhet në Gjykatën e Posaçme me kërkesë të SPAK, Strasburgu thotë se ndër vite ka pasur shkelje.

Sipas vendimit të Strasburgut, familjarët e viktimave do duhej të ishin bërë pjesë e procesit që prej fillimit, ndërsa hetimi për ish-ministrin Fatmir Mediu është zvarritur.

Gjykata kërkon dëmshpërblim prej 12 mijë eurosh për Zamira dhe Feruzan Durdajn.

“Shteti i paditur duhet t’u paguajë kërkuesve, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme: bashkërisht Zamira Durdajt dhe Feruzan Durdajt, 12 000 euro (dymbëdhjetë mijë euro), plus çdo taksë që mund të paguhet për dëmin jopasuror; aplikantëve të mbetur, 10,000 (dhjetë mijë euro) secili, plus çdo taksë që mund të paguhet për dëmin jopasuror; bashkërisht për të gjithë aplikantët, 8,000 (tetë mijë euro) euro, plus çdo taksë që mund t’u ngarkohet atyre, në lidhje me kostot dhe shpenzimet; që nga skadimi i tre muajve të sipërpërmendur deri në shlyerje, do të paguhet interes i thjeshtë për shumat e mësipërme me një normë të barabartë me normën marxhinale të huadhënies të Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së mospagimit plus tre pikë përqindjeje”, thuhet në vendimin e Strasbugut.

Personat që dërguan çështjen në Strasburg janë Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj, prindërit e të ndjerit Erison Durdaj, Feruzan Durdaj, Roxhens Durdaj, Alketa Hazizaj, Aishe Selami, Pashk Kaçi, Mirela Hazizaj, Miselda Zguri, Medi Gola, Rabie Gërdeci, Shaban Brahushi, Sabrie Picari, Dylbere Prini, Adelina Cani, Meltina Haka, Bege Aliu dhe Esmeralda Sefaj.

“Në momentin e shpërthimit Erison Durdaj, atëherë shtatë vjeç, kishte kaluar pranë objektit së bashku me kushëririn e tij, Roxhens Durdaj, duke i lënë një drekën nënës së Roxhensit dhe tezes së Erisonit, i cili punonte në objekt. Erison Durdaj mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi dhe u transferua në një spital në Itali si masë urgjente, ku vdiq më 3 prill 2008. Roxhens Durdaj, në atë kohë 11 vjeç, mbeti i plagosur rëndë nga flakët e shpërthimit. Të trembëdhjetë aplikantët në aplikimin nr. 46707/13 , si dhe kërkuesi i dytë në kërkesën nr. 46714/13 Alketa Hazizaj, ishin duke punuar në objekt dhe u plagosën rëndë nga shpërthimi’, shkruhet në vendim.

Ky vendim i Strasburgut pritet të bëhet pjesë e procesit në GJKKO.

Çështja ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu është rihapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.

Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës ku mbetën të vdekur 26 persona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *