Mes trazirave konstituohet Kuvendi i Serbisë, opozita betohet në korridor

Spread the love

Kuvendi i Serbisë është konstituuar mes fishkëllimave dhe pankartave të opozitës që kundërshton rezultatin e zgjedhjeve.

Lista e opozitës, Serbia kundër dhunës, pretendon se zgjedhjet e dhjetorit ishin të parregullta, gjë që mazhoranca e kundërshton.

Seanca konstituive e Kuvendit të Serbisë ka zgjatur rreth gjysmë ore.

Si pasojë e tensioneve, deputetët e koalicionit “Serbia kundër dhunës” e kanë bërë betimin në korridorin e Kuvendit dhe jo në sallë pasi sipas tyre nuk do të betoheshin në një sallë ku mandatet janë vjedhur.

Para tyre, këtë e kanë bërë deputetët e koalicionit të djathtë Shpresa, i cili përbëhet nga Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë.

Deputeti i koalicionit Serbia kundër dhunës, Radomir Lazoviq, ka vlerësuar se ndërprerja e seancës konstituive është “fitore” e opozitës.

Në vazhdim të seancës së parë, e cila nuk duhet të jetë në të njëjtën ditë, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, të emërojnë sekretarin e përgjithshëm, të zgjedhin anëtarët e trupave punues, si dhe anëtarët e përhershëm të delegacioneve parlamentare në institucionet ndërkombëtare.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit, mandatet i fituan 10 lista zgjedhore, pesë prej të cilave janë pakicë.

Më 18 dhjetor, Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) njoftoi se zgjedhjet u përcollën me parregullsi, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti i shtetit Aleksandar Vuçiç, fushata negative dhe përhapje frike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *